
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, po përballet me presion serioz për ta shpëtuar vendin e punës në javët në vijim, pas humbjes së rëndë ndaj Celta Vigos të dielën mbrëma. Si shenjë e qartë se situata është alarmante, drejtuesit e Los Blancos kanë nisur të hartojnë një listë alternativash në rast se Alonso shkarkohet.
E ardhmja e tij pritet të përcaktohet nga ajo që do të ndodhë të mërkurën mbrëma, kur Manchester City viziton “Santiago Bernabeun” në kuadër të Ligës së Kampionëve. Sipas mediave në kryeqytetin spanjoll, pak kush është i gatshëm të garantojë se Alonso do të mbetet në detyrë pas përballjes me skuadrën e Pep Guardiolës.
Aktualisht, kandidati numër një për të marrë drejtimin e ekipit në afat të shkurtër duket të jetë trajneri i Real Madrid Castilla, Alvaro Arbeloa. Ai ka avancuar me rezultate të mira në akademinë e klubit dhe vlerësohet lart nga presidenti Florentino Perez. Sipas “The Athletic”, Arbeloa është një nga opsionet kryesore. Emrat e Jurgen Klopp dhe Zinedine Zidane përmenden po ashtu si kandidatë që gëzojnë respekt të madh brenda klubit.
Megjithëse shumë media e përmendin Zidanen, “Diario AS” raporton se deri tani askush te Real Madridi nuk ka ndërmend t’i kërkojë atij një mandat të tretë në stolin e “Bernabeut”. Zidane aktualisht është përqendruar te objektivi për të marrë drejtimin e Francës në vitin 2026, pas Kupës së Botës dhe largimit të Didier Deschamps.
Në këtë moment, Arbeloa shihet si opsioni më realist, duke pasur parasysh vështirësitë për të bindur Klopp-in ose Zidanen. Klopp ka qenë prej kohësh shumë i vlerësuar nga drejtuesit e Real Madridit, por në teori është tërhequr nga trajningu dhe raportohet se është i kënaqur me rolin e tij aktual si Shef i Zhvillimit Global të Futbollit te Red Bull.









