
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në selinë e partisë të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Anu Prattipati, e cila ishte e shoqëruar nga Këshilltarja për Çështje Politiko-Ekonomike, znj. Amy Reichert.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe proceset që pritet të pasojnë ato. Haradinaj ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Sipas tij, vendi ka nevojë për rikthim të normalitetit institucional në mënyrë që të mos dëmtohet perspektiva euro-atlantike e Kosovës. Ai ka nënvizuar se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve është parakusht për stabilitet politik dhe për vazhdimësi të agjendës së reformave.
Takimi u zhvillua në kuadër të komunikimit të rregullt që subjektet politike në Kosovë mbajnë me Ambasadën Amerikane, në prag të një periudhe të rëndësishme zgjedhore për vendin.









