
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe e ka informuar për përgatitjet në zhvillim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gjatë takimit, Hamza ka theksuar gatishmërinë e tij për formimin e institucioneve të reja në afatin më të shkurtër të mundshëm pas zgjedhjeve, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit institucional për vendin.
Ai ka kërkuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Gjermanisë, në tri drejtime kryesore: heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, avancimin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe sigurimin e statusit të vendit kandidat për BE.
Hamza ka theksuar se Kosova ka vetëm një drejtim strategjik, atë të integrimit euroatlantik, dhe se ky orientim mbetet prioritet i pandryshueshëm për të ardhmen e vendit.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve të rregullta të PDK-së me trupin diplomatik në vend.









