
Qendra Sportive e Preshevës, në kuadër të Komunës së Preshevës, ka shpërndarë sot me emocion të madh komplete sportive për fëmijët dhe klubet e reja të futbollit, në kuadër të projektit “Uniforma Ime”, një nismë e realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në këtë aktivitet, sportistët e vegjël janë pajisur me uniforma të reja dhe topa stërvitorë, duke krijuar kushte më profesionale për zhvillim, motivim dhe pjesëmarrje në kampionatet e moshave.
Ajo që vlen të theksohet në mënyrë të veçantë është se ky projekt është bërë i mundur falë bashkëpunimit të qëndrueshëm mes Shoqatës Sportive “Lëvizja” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Rrugëtimi i këtij bashkëpunimi nisi gjatë verës së kaluar me organizimin e “Turneut të Luginës”, një event sportiv që krijoi ura të reja komunikimi dhe besimi ndërmjet palëve.
Sot, rezultatet e atij bashkëpunimi po i shijojnë fëmijët e Preshevës, të cilët jo vetëm po pajisen me pajisje profesionale, por po marrin edhe frymëzim të ri për të ëndërruar më larg.
Nga Qendra Sportive kanë falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin e saj, z. Armand Duka, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit shqiptar dhe talentëve të rinj të Komunës së Preshevës.
Me uniformat e reja, përgjegjësia dhe dëshira e çdo të riu për të arritur një ditë te Kombëtarja Shqiptare bëhen edhe më të mëdha.









