Gani Dreshaj zyrtarizon kandidimin për deputet: “Politika ka kuptim vetëm kur kthehet në shërbim të qytetarëve”

Gani Dreshaj ka njoftuar sot vendimin e tij për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se motivi kryesor i angazhimit të tij politik mbetet shërbimi ndaj qytetarëve dhe mbrojtja e interesave të shoqërisë. Postimi i tij publik është shoqëruar edhe me një fotografi së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Dreshaj, i njohur për veprimtarinë e tij në sektorin privat, tha se pavarësisht prejardhjes nga bota e biznesit, zemra e tij ka qenë gjithmonë pranë njerëzve që punojnë çdo ditë për një shtet ligjor dhe me familjet që përballen me vështirësi.

“Politika për mua ka kuptim vetëm kur kthehet në shërbim. Asnjëherë nuk e kam parë si karrierë personale. Nëse mund të jem hajri i shtëpisë, mund të jem edhe kontribues i shoqërisë,” u shpreh ai.

Dreshaj vuri theks të veçantë edhe te roli i mërgatës, duke kujtuar se vetë është rritur në diasporë dhe e njeh nga afër kontributin, sfidat dhe nevojat e komunitetit shqiptar jashtë vendit. Ai theksoi se aty ku ka pasur mundësi të ndikojë, është përpjekur të realizojë çdo angazhim të tij.

“Aty ku kam pasur fuqi të ndikoj, e kam realizuar. I tillë do të jem përherë,” deklaroi kandidati i AAK-së.