
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se listës së saj zgjedhore i është bashkuar Esmehane Kakrruki, e bija e Hoxhë Idriz Kakrrukit – njërit nga figurat qendrore të Pajtimit të Gjaqeve, së bashku me Anton Çettën, Don Lush Gjergjin, Zekeria Canën dhe shumë personalitete të tjera që lanë gjurmë në proceset e pajtimit gjatë viteve ’90.
Kandidatura e Esmehane Kakrrukit vjen si vazhdim i një trashëgimie me peshë kombëtare. E diplomuar në gazetari dhe me përvojë të gjerë në organizata të ndryshme, ajo vlerësohet si një figurë e re që sjell profesionalizëm, energji dhe qasje bashkëkohore në listën e Aleancës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se familja Kakrruki ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare dhe se angazhimi i Esmehanës në politikë është vazhdim i natyrshëm i vlerave të kësaj familjeje.
Sipas Aleancës, përfshirja e saj synon të forcojë prezencën e grave në politikë, të rrisë përfaqësimin profesional dhe të sjellë një perspektivë të re në sfidat që e presin legjislaturën e ardhshme.










