
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se Yll Bogaj i është bashkuar listës së kandidatëve për zgjedhjet qendrore. Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart angazhimin dhe besnikërinë politike të Bogajt, duke theksuar se kontributi i tij është i njohur nga e gjithë struktura e Aleancës.
Sipas Haradinajt, Yll Bogaj ka qenë pjesë aktive e AAK-së në periudha të ndryshme, duke qëndruar me dinjitet si në kohë më të vështira për partinë, ashtu edhe në periudhat më të suksesshme. Ai kujtoi se Bogaj ka qenë ndër të rinjtë që e kuptuan herët rëndësinë e angazhimit politik në Prishtinë, ku u zgjodh dy herë asamblist dhe u rendit ndër më të votuarit në listën e Aleancës për kryeqytetin.
“Prishtina është pikënisja e Yllit qysh në fillimet e tij. Sot i bashkohet listës së njerëzve të mirë e punëtorë të Aleancës, njerëz që Kosovën e kanë shtëpi të vetme dhe për të cilën nuk lodhen së punuari kurrë,” tha Haradinaj në njoftimin e tij.
AAK thekson se Bogaj përfaqëson profilin e një aktivisti të përkushtuar, me përvojë dhe qëndrueshmëri politike, duke u konsideruar si vlerë e shtuar në listën e partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.










