
Një situatë e pazakontë, por edhe jo e pa pritur kur flitet për VV’në, ka ndodhur të martën brenda dyerve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, u përfshi sërish në përplasje të drejtpërdrejtë me gazetarë, shkruan Gazeta Metro.
Tema që po diskutohej mbi procedurat e certifikimit të votave në KQZ, kalojë në një dimensoin krejt tjetër ku gazetarët u përballën me një seri fyerjesh, etiketime të rënda dhe sulme verbale nga vet Sami Kurteshi i VV’së
Kurteshi edhe pas eskalimit të tij brenda ambienteve të KQZ’së nuk u ndal duke përdorur gjuhë fyese, duke i quajtur disa media “kriminale”, ndërsa disa gazetarë i ka etiketuar si “vrasës me pagesë”, “të paedukatë” dhe “pjesë e aleancave kriminale”. Në disa raste, ai dyshohet se ka penguar fizikisht ekipet e raportimit, duke ndërhyrë në punën e tyre brenda objektit të KQZ-së.
Këto skena kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e ka dënuar ashpër sjelljen e Kurteshit. AGK e ka quajtur incidentin “sulm direkt ndaj lirisë së shtypit”, duke theksuar se Kurteshi është “recidivist”, pasi edhe më herët ka pasur përplasje të ngjashme me gazetarët.
Asociacioni ka kërkuar nga KQZ të marrë masa për të garantuar kushte të sigurta për ekipet mediatike që raportojnë nga institucioni.
Reagimi ka kaluar kufijtë vendorë, ku Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ka ofenduar mediat dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke i quajtur “aleancë e grupeve kriminale”.
Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, Gutiérrez i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë menjëherë dhe t’i japë fund asaj që ai e quan “fushatë shpifëse” e iniciuar nga një pjesëtar i partisë së tij.
Ai ka theksuar se krahasimi i AGK-së si organizatë e respektuar e gazetarëve në Evropë, me një grup kriminal është “i turpshëm dhe i padenjë”. Duke qenë më i ashpër Gutiérrez ka paralajmëruar Kurtin t’i ndalojë këto abuzime para se të jetë vonë, duke e bër përgjegjës direkt për ndalimin e tyre vet kryeministrin në ikje.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i cenoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që vetë partia juaj, VV-ja, të denigrojë këdo që guxon t’ju kërkojë llogari juve dhe vendimmarrësve të tjerë.Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund kësaj frikësimi para se të jetë tepër vonë. Kam parë shumë gazetarë të përballen me abuzime dhe sulme fizike, shumë shpesh pas denigrimeve publike. Ju keni përgjegjësi t’i ndalni këto praktika që ngjasojnë me mafien. Përndryshe, do të jeni bashkëpjesëmarrës në to.”, ka shkruar Gutiérrez
Nga ana institucionale, deri tani nuk ka pasur masa konkrete ndaj Kurteshit, ndërsa vetë ai nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje apo reflektimi. Përkundrazi, deklaratat e tij të rënda kanë shtuar diskutimet mbi përgjegjësinë e figurave publike dhe nivelin e tolerancës së institucioneve ndaj gjuhës denigruese që drejtohet ndaj shtypit.
Rasti i fundit vetëm sa ka thelluar bindjen e shumë organizatave mediatike se tensionet mes pushtetit dhe mediave po rriten, ndërsa gazetaria e pavarur po përballet me sfida gjithnjë e më të ashpra në terren./gazetametro.net









