Ramush Haradinaj: Burim Ramadani rikthehet në politikë – një nga mendjet më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë kandidon për deputet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur sot mbështetjen e tij të plotë për kandidimin e Burim Ramadanit për deputet në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më të përgatitura dhe më të besueshme në fushën e sigurisë së shtetit.

Ramadani, i njohur për karrierën e tij të gjatë në institucionet e sigurisë dhe për angazhimin profesional në çështjet strategjike të vendit, shihet si një vlerë e shtuar për skenën politike dhe institucionale të Kosovës. Ai ka qenë më herët pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe rikthimi i tij në skenë konsiderohet si një hap i rëndësishëm për subjektin.

Haradinaj e vlerësoi Ramadanin si “mendje të kthjellët që punon për sigurinë e shtetit”, duke theksuar integritetin, profesionalizmin dhe besnikërinë e tij ndaj institucioneve të Kosovës. Sipas tij, zëri kritik, racional dhe i matur i Ramadanit është i domosdoshëm në Kuvend.

“Jam i lumtur që pranoi kërkesën tonë që të kandidojë për deputet dhe shpresoj se do të jemi bashkë në Parlament,” ka deklaruar Haradinaj.

Kandidatura e Burim Ramadanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për AAK-në, por mbi të gjitha si një mundësi që vendimmarrja shtetërore të përfitojë nga përvoja dhe kompetenca e një eksperti të dëshmuar të sigurisë kombëtare.