Kryetarit të ri të Zubin Potokut i dorëzohet flamuri serb, ai thotë se i pret një periudhë e vështirë

Ka përfunduar betimi i kryetarit të ri të Zubin Potokut, Millosh Peroviq, si dhe asamblistëve të Kuvendit Komunal.

Seancën e shpalli të hapur ssamblisti më i vjetër i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Sefer Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës, duke i uruar mirëseardhje kryetarit të ri Peroviq, i cili mbërriti i shoqëruar nga këshilltarët e partisë së tij, Lista Srpska.

Peroviq bëri betimin, në të cilin u zotua se do ta kryejë “ nder dhe drejtësi”  detyrën e tij në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zubin Potokut.

Pasi dha betimin, kryetari i sapozgjedhur dhe asamblistët e nënshkruan atë.

Peroviq iu drejtua asamblistëve dhe tha se i pret një periudhë e vështirë.

Në fjalimin e tij, ai deklaroi se zëvendësi i tij është Sërgjan Vuloviq.

Ndërsa, siç raporton Kosovo Online, Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe i dhuroi atij një flamur serb me një mesazh për të respektuar votuesit e tij dhe për t’u shërbyer atyre me besnikëri.