Ramush Haradinaj: Diaspora ka qenë dhe mbetet krah i pandashëm i Kosovës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare në të gjitha etapat e Kosovës, duke e cilësuar atë si një forcë që ka qëndruar gjithmonë pranë vendit.

Në një deklaratë publike, Haradinaj thekson se gjatë periudhës së rezistencës paqësore, diaspora ishte “hambari i Kosovës”, duke mbajtur gjallë ekonominë dhe duke ofruar mbështetje të pakursyer morale.

Ai kujton se roli i diasporës u rrit edhe më shumë gjatë luftës së fundit, kur shumë shqiptarë të shpërngulur u angazhuan në mbështetjen logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në sensibilizimin ndërkombëtar për krimet e kryera ndaj popullit shqiptar.

Sipas Haradinajt, diaspora u shndërrua në zërin e Kosovës nëpër botë, duke dëshmuar vuajtjet dhe padrejtësitë e regjimit serb.

Ai nënvizon se kontributi i tyre nuk përfundoi me çlirimin e vendit. Edhe pas luftës, diaspora ka qëndruar e pranishme në proceset e rindërtimit dhe zhvillimit, duke ndihmuar me investime, mbështetje financiare dhe përfshirje aktive në jetën ekonomike e shoqërore të Kosovës.

“Diaspora dhe Kosova janë një, të pandashme,” thekson Haradinaj, duke e konsideruar komunitetin shqiptar jashtë vendit si pjesë thelbësore të suksesit dhe të së ardhmes së Kosovës.