
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka përshëndetur vendimin për fillimin e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një lajm të mirë dhe një vendim të drejtë për qytetarët e vendit.
Në një reagim publik, Hamza theksoi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e qeverisë aktuale dhe se masat e vendosura nga BE-ja kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe perspektivën ekonomike të vendit.
“Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie”, ka deklaruar Hamza, duke shprehur mirënjohje ndaj partnerëve evropianë për, siç u shpreh ai, mbajtjen e premtimit të dhënë.
Sipas Hamzës, vendimi për heqjen graduale të masave duhet të shënojë hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ai theksoi se ky kapitull i ri duhet të ndërtohet mbi reforma të mirëfillta, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Tani është momenti që Kosova të ecë përpara me një agjendë të qartë reformuese dhe me orientim të palëkundur drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Hamza nënvizoi se në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, Kosova mund të rikthejë besimin dhe të përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe rritjes ekonomike.
Deklarata e tij vjen në një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik për vendin, teksa pritet që heqja e masave të BE-së të ndikojë pozitivisht në stabilitetin, investimet dhe perspektivën evropiane të Kosovës.










