
Shkolla nuk është vetëm vend i notave, testeve dhe rezultateve akademike, por hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre emocionale. Kështu vlerëson ish-ministri i Shëndetësisë dhe psikiatri, Dr. Ferid Agani, duke paralajmëruar se sistemi arsimor në Kosovë po qëndron anash përballë problemeve serioze të shëndetit mendor tek nxënësit.
Sipas Dr. Aganit, sot shumë nxënës shkojnë në shkollë të ngarkuar me ankth dhe stres të vazhdueshëm, nën presion për performancë dhe krahasim, të ekspozuar ndaj bullizmit dhe përjashtimit social, ndërkohë që mungon mbështetja profesionale brenda institucioneve arsimore.
Megjithatë, thekson ai, sistemi arsimor vazhdon të sillet sikur këto nuk janë probleme të tij. “Shkollat janë lënë pa psikologë shkollorë të mjaftueshëm dhe funksionalë, pa ekipe mobile psiko-sociale, pa protokolle të qarta për menaxhimin e krizave emocionale dhe pa bashkëpunim real me kujdesin parësor shëndetësor dhe shërbimet sociale”, thekson Agani.
Sipas tij, kur shkolla i sheh problemet por nuk vepron, ajo nga institucion mbrojtës kthehet në pjesë të problemit. Pasojat, siç vëren ai, janë tashmë të dukshme: rënie e motivimit dhe suksesit shkollor, braktisje e shkollës, sjellje devijante problematike dhe përkeqësim i shëndetit mendor gjatë adoleshencës.
Dr. Agani thekson se kjo gjendje nuk është pasojë e mungesës së vullnetit të mësimdhënësve, por dështim i politikave arsimore dhe sociale për ta trajtuar shëndetin mendor si prioritet shtetëror.
“Shëndeti mendor duhet të jetë pjesë integrale e shkollës, jo shtesë fakultative”, thekson ai, duke propozuar një sërë ndryshimesh konkrete. Në mesin e tyre janë rritja e numrit të psikologëve shkollorë, vendosja e protokolleve të detyrueshme për identifikim dhe ndërhyrje të hershme, trajnim i mësimdhënësve për çështjet e shëndetit mendor të fëmijëve, si dhe bashkëpunim real ndërmjet shkollës, familjes dhe shërbimeve shëndetësore.
“Ne nuk i mbyllim sytë para problemeve në bankat shkollore. Ne i sjellim zgjidhjet brenda shkollës”, përfundon Agani.
Sipas tij, një shkollë që kujdeset për shëndetin mendor krijon nxënës më të sigurt, më të shëndetshëm dhe një shoqëri më të fortë në të ardhmen.
Dr. Ferid Agani është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me numrin 9 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e bazuar angazhimin e tij politik në përvojën profesionale dhe në nevojën për politika të integruara arsimore dhe shëndetësore.










