Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), gjatë javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të gripit dhe infeksioneve respiratore, e shoqëruar me rritje të numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore, si dhe të rasteve që përfundojnë me hospitalizim.
IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke e cilësuar vaksinimin si masën më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj.
“Edhe pse sezona e gripit ka filluar, vaksinimi është ende i dobishëm, pasi pritet që përhapja e gripit të intensifikohet gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Sipas IKSHPK-së, vaksinimi ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes, si dhe në mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë personat nga mosha 6 muaj e lart që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe komplikimet e tij.
“IKShPK u bën thirrje qytetarëve që, së bashku me familjarët e tyre, të drejtohen pranë qendrave të mjekësisë familjare për t’u vaksinuar”, thuhet në thirrjen e Institutit.










