Bekë Berisha është në avantazh të sigurojë ulësen e katërt dhe të fundit të kandidatëve burra që do të sigurojnë një ulëse në Kuvendin e Kosovës nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Pas numërimit të votave të kandidatëve për deputet në mbi 30% të vendvotimeve, ish-deputeti nga Istogu po avancon me mbi 500 vota ndaj ndjekësve më të afërt: Agim Çekut dhe Burim Ramadanit.
AAK-ja pritet të sigurojë gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Katër prej deputetëve do të jenë burra, ndërsa atyre do t’i bashkohen edhe dy gra: Time Kadrijaj, pa pasur nevojë për kuotë gjinore dhe një kandidate grua tjetër që do të sigurojë mandat falë kësaj kuote.
Lideri i partisë Ramush Haradinaj, vartësi i tij në listë Besnik Tahiri dhe ish-deputeti Daut Haradinaj pothuajse i kanë siguruar mandatet e tyre, bazuar në rezultatet preliminare.
Pas tyre renditet Bekë Berisha me 5,158 vota, tregojnë rezultatet preliminare të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës ka krijuar tashmë një diferencë prej rreth 600 votash me Agim Çekun dhe Burim Ramadanin, të cilët momentalisht renditen menjëherë prapa Berishës.
Me numërimin e 30% të votave, ish-kryeministri Agim Çeku numëron 4,507, ndërsa Burim Ramadani numëron 4,491 vota.
Një ulëse falë kuotës gjinore pritet ta fitojë Albana Bytyqi, e cila do të plotësonte Grupin Parlamentar të AAK-së prej gjashtë deputetëve.
Rezultatet preliminare të KQZ-së për votat e subjekteve politike, tregojnë se AAK-ja ka fituar në total 49,698 vota apo përkthyer në përqindje 5,66%.










