Ragip Xhaka dorëhiqet nga posti i kryetarit të PDK-së në Zvicër

Ragip Xhaka ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër, duke e cilësuar këtë hap si pjesë të një momenti reflektimi pas zgjedhjeve të fundit.

Sipas tij, zgjedhjet e fundit përbëjnë një thirrje për analizë dhe përgjegjësi brenda partisë, si dhe për angazhim më të madh në forcimin e strukturave organizative.

“Ato kërkojnë analizë të qetë, përgjegjësi kolektive dhe angazhim të shtuar për të forcuar strukturat tona dhe për t’u përgatitur më mirë për sfidat që na presin”, ka deklaruar Xhaka.

Ai ka theksuar se, pavarësisht dorëheqjes nga posti udhëheqës, do të vazhdojë të mbetet anëtar i PDK-së, duke riafirmuar besnikërinë e tij ndaj partisë.

“Dua ta theksoj qartë dhe pa asnjë dilemë: unë do të mbetem gjithmonë anëtar besnik i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë së themeluar mbi sakrificën dhe vizionin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, partisë që i dha Kosovës lirinë dhe shtetin”, ka shtuar ai.

Babai i futbollistëve Taulant dhe Granit Xhaka ka falënderuar kryetarin aktual të PDK-së, Bedri Hamza, si dhe ish-kryetarin Memli Krasniqi, për angazhimin dhe kontributin e tyre ndër vite.

“Bedri Hamza, për punën dhe angazhimin e tij në një periudhë sfiduese për partinë, si dhe për ish-Kryetarin z. Memli Krasniqi, për kontributin dhe udhëheqjen e tij me dinjitet në shërbim të PDK-së dhe vendit”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Xhaka ka falënderuar edhe kryetarin e Komisionit për Mërgatën, Elmi Reçica, për bashkëpunimin dhe angazhimin në riorganizimin e degës në Zvicër.

“Po ashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit për Mërgatën, z. Elmi Reçica, për bashkëpunimin korrekt dhe angazhimin në procesin e riorganizimit dhe forcimit të Degës së PDK-së në Zvicër”.