Osmani: Interesimi i administratës Trump për Kosovën është rritur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shfaqur një interesim të rritur për Kosovën, veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në rajon.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Osmani tha se ky angazhim i shtuar i SHBA-së është në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës, duke theksuar se burimi i vetëm i destabilitetit në rajon vazhdon të mbetet Serbia.

Sipas saj, administrata Trump ka qenë e qartë dhe e vendosur në qëndrimin se nuk do të tolerohen veprime destabilizuese apo të dhunshme, duke përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023 si shembull të rrezikut që vjen nga Serbia.

“Sa i përket qasjes ndaj Kosovës, administrata Trump është e qartë, dhe këtë po e dëshmon me veprime çdo ditë, që në raport me Kosovën e mbështet fuqizimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë, dhe jam shumë e lumtur që kjo, pas shumë pune që e kemi bërë të gjithë ne së bashku, dhe me ndihmën e komunitetit shqiptar në SHBA, të cilët duhet t’i falënderoj edhe një herë për angazhimin e tyre të palodhshëm, e kemi edhe miratimin e Aktit të Kongresit, që u nënshkrua edhe në ligj nga ana e presidentit Trump”, tha ajo.

Osmani theksoi se SHBA-ja po e dëshmon mbështetjen për Kosovën jo vetëm me deklarata, por edhe me veprime konkrete, përfshirë fuqizimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe miratimin e akteve ligjore në Kongres që mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Ajo bëri të ditur se administrata Trump ka rikthyer qasjen që dialogu Kosovë–Serbi duhet të bazohet në njohje reciproke, duke e cilësuar këtë si një avancim të madh diplomatik për Kosovën dhe duke përjashtuar kategorikisht çdo ide për ndryshim kufijsh.

Presidentja Osmani po ashtu njoftoi për interesim amerikan për investime në Kosovë, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe teknologjisë informative, duke shtuar se Kosova dhe SHBA-ja janë duke bashkërenduar ide dhe strategji konkrete që pritet t’i dorëzohen administratës Trump në të ardhmen e afërt.