Haxhiu: S’përjashtoj mundësinë që ndonjë deputet nga opozita të na bashkohet

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. 

Haxhiu ka thënë se nuk e shohin të nevojshëm një koalicion të tillë.  Vetëvendosje po parashikohet që të ketë të paktën 56 deputetë në legjislaturën e re. 

“Nuk do të synojmë koalicion me LDK-në, pasi nuk e shohim të nevojshme. Do të kemi sa më parë takime në raport me disa çështje që kanë mbetur, si plani i rritjes dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Haxhiu në “Interaktiv”. “Ne kemi thënë në vazhdimësi gjatë kësaj kohe se na duhet mbështetje që të mos varemi nga votat e deputetëve të opozitës. Pasi nëse varesh qoftë edhe nga një deputet, situata po bëhet tepër e vështirë dhe kërkesat po janë në shpërputhje me fuqinë e tyre politike”. 

Por, ish-ministrja e Drejtësisë nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndonjë deputet nga partitë që do të jenë në opozitë do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Nuk përjashtojmë mundësinë që dikush nga deputetët e partive opozitare të na bashkohet…Në situatën kur kishim insistuar për komisionin për votim të fshehtë, kishte deputet të grupeve parlamentare opozitare që në takime në Kuvend na thoshin insistoni për komisionin për votim të fshehtë pasi do t’ju mbështesim. Por, ia pamundësuan deputetëve ta ushtrojnë detyrën e tyre të votës. Dikush mund ta konsideroj qasje të padrejtë, pasi ishte e padrejtë…Mund që për shkak të këtyre veprimeve që kanë bërë, e për shkak të rezultatit zgjedhor – nuk po paragjykoj pasi nuk kam informacion se cili prej tyre mund të jetë – s’përjashtohet mundësia që dikush në të ardhmen të na bashkohet”, tha Haxhiu.