Tre ditë pasi i fitoi zgjedhjet, Kurti e konsideron 2025-ën “vit me lajme të mira”

“Po e mbyllim një vit me shumë lajme shumë të mira për vendin dhe qytetarët, përkundër sfidave”, tha Kurti sot përmes një postimi në Facebook.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vlerësuar lart vitin që lamë pas.

Ndonëse ankesat e qytetarëve ishin të shumta dhe çmimet e artikujve bazë thuajse të paarritshme, sipas tij kishte plot lajme të mira për qytetarët dhe vendin.

Ai madje ka prezantuar edhe një top 10 me sukseset e arritura.

Postimi i Albin Kurtit në Facebook:

Po e mbyllim një vit me shumë lajme shumë të mira për vendin dhe qytetarët, përkundër sfidave.

Këto janë top 10 lajmet e mira të vitit 2025:

1️⃣ Rritja e shtesave për nënat lehona nga 170 euro në 325.9 euro dhe e pagesës së pushimit të lehonisë nga Qeveria prej 223 euro në 319.5 euro;

2️⃣ Rritja e pensionit bazik në 150 euro;

3️⃣ Forcimi i ushtrisë me dronë amerikanë Puma, dronë luftarakë turk Skydagger dhe sistemin antitank gjerman Panzerfaust 3;

4️⃣ 4 njohje të reja, pasaportë edhe më e fuqishme në indekset ndërkombëtare dhe heqja e masave të padrejta të BE-së;

5️⃣ Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një për këmbësorë dhe një për vetura;

6️⃣ Përurimi i Depos së re Qendrore të Barnave, pas më shumë se 20 vjetëve;

7️⃣ Anëtarësimi me të drejta të plota në EQAR, pas përjashtimit në vitin 2018;

8️⃣ Vazhdimi i programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, 202 milionë dollarë grant nga shteti amerikan investim në sektorin e energjisë;

9️⃣ Bursa e Mobilitetit për Studentë që udhëtojnë për të ndjekur studimet, për herë të parë një mbështetje e tillë për studentë;

1️⃣0️⃣ Kosova hiqet nga listat e FMN-së dhe Bankës Botërore të shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti.