Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 17 të qytetit të Durrësit, ku një 76-vjeçar ka tentuar të vriste bashkëshorten e tij duke e goditur me një send të fortë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit për rastin e dhunës në familje, shkuan menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës me pasoja fatale për jetën.
Në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 76 vjeç, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Sipas veprimeve të para hetimore, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 76-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me një shkop druri në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.









