Besnik Osmani hyn në garë për deputet – një profesionist i respektuar që kërkon t’i japë politikës seriozitetin që i mungon

Besnik Osmani, një nga figurat më të formuara profesionalisht dhe një nga emrat më të respektuar të Fushë Kosovës, ka konfirmuar kandidimin për deputet nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nominimi i tij nga strukturat e LDK-së vjen si pasojë e angazhimit të tij të vazhdueshëm me komunitetin, qasjes profesionale dhe reputacionit që ka ndërtuar si njeri i fjalës, i përgjegjësisë dhe i integritetit.

Në komunikimin e tij publik, Osmani ka falënderuar qytetarët dhe aktivistët që e kanë mbështetur gjatë dy viteve të angazhimit politik. Ai theksoi se ka takuar me qindra familje të Fushë Kosovës, duke parë nga afër sfidat dhe brengat e tyre. Sipas Osmanit, pikërisht këta njerëz – që kërkojnë një Kosovë më të drejtë, më të sigurt dhe më dinjitoze – janë arsyeja kryesore pse ai ka vendosur të jetë pjesë e kësaj gare parlamentare.

Duke e parë politikën si shërbim dhe jo si dekor karriere, Besnik Osmani ka theksuar se do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe rikthim të vlerave demokratike. Ai ka nënvizuar se ky angazhim është mbi interesat personale dhe se Kosova ka nevojë për njerëz që punojnë, jo për figura që ushqehen me arrogancë dhe privilegje. “Ky është momenti për t’i kthyer vendit seriozitetin dhe drejtimin që meriton,” është shprehur ai.