Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest ka thënë se Kosova po i merr vendimet më të rëndësishme ekonomike pa u bazuar në analiza profesionale dhe pa evidencë.
Mustafa tha se vendi ka kaluar një vit të mbushur me pasiguri politike dhe zgjedhje të njëpasnjëshme, të cilat kanë krijuar bllokada institucionale dhe e kanë prekur drejtpërdrejt ekonominë.
“Ajo që i mungon politikës sonë dhe qeverisjes ekonomike është mungesa e vendimmarrjes në bazë të evidencës. Te ne masat merren dhe pastaj shikohet çka po ndodh – kjo është e pafalshme”, tha ai për telegrafin.
Ai solli shembullin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke theksuar se as ZRRE-ja dhe as Qeveria nuk kanë pasur një analizë të qartë të ndikimit financiar para marrjes së vendimit.
Mustafa theksoi se ky model i qeverisjes ekonomike po krijon rreziqe të mëdha në një periudhë të brishtë për Kosovën, sidomos kur, sipas tij, politika shpesh po udhëhiqet nga improvizime dhe jo nga profesionalizëm.
Në fund, Mustafa paralajmëroi se vonesat në formimin e qeverisë së re rrezikojnë jo vetëm stabilitetin institucional, por edhe qindra milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.









