Ardian Kastrati i bashkohet AAK-së – një emër i formuar në akademi, diplomaci dhe politikë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar sot Ardian Kastratin si pjesën më të re të ekipit të saj zgjedhor. Ish-deputeti dhe profesori i shkencave politike, një figurë e njohur në akademi dhe në institucionet vendore, i është bashkuar strukturave të AAK-së me fokus të qartë: zhvillim, siguri dhe integrim për Kosovën.

Kastrati njihet për angazhimin e hershëm në jetën publike, duke filluar nga Lëvizja Studentore e viteve ’97–’98, e deri te mandati i tij në Kuvendin e Kosovës, ku u dallua për qëndrime të qarta, zë të fuqishëm dhe qëndrueshmëri politike. Gjatë karrierës së tij, ai ka shënuar prezencë të rëndësishme në diplomaci dhe ka kontribuar në debatin publik për çështjet shtetërore.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur Ardian Kastratin në ekipin e Aleancës, duke e cilësuar si një vlerë të shtuar për partinë dhe për Kosovën. “Po bashkohemi sepse jemi të vendosur dhe të qartë se çka duam për Kosovën,” është mesazhi i Haradinajt, i shoqëruar me hashtagun #KrahTeje, duke sinjalizuar një frymë të re bashkimi brenda partisë.