Avokati tregon se mori 13.500 pëlqime për një orar të shkurtër pët ‘testin e tij politik’ dhe zbulon ofertat e refuzuara nga partitë, teksa lë të hapur garën si deputet i pavarur në 2026.
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se po merr qindra mesazhe pas një postimi ku kërkoi 10 mijë pëlqime si një test simbolik për hyrjen e tij të mundshme në politikë — një objektiv që u tejkalua shpejt duke arritur mbi 13.500 pëlqime. Ai tha se këto reagime kanë sjellë kërkesa të shumta, madje edhe presion, që ai të hyjë në politikë.
Koci tregoi se ka marrë edhe oferta konkrete për t’iu bashkuar partive politike, por i ka refuzuar, duke theksuar se nuk beson se momenti i duhur ka ardhur ende.
“Mendoj se ende nuk ka ardhur momentumi kur mundem esencialisht me kontribu në shoqëri. Kudo që hyj, kam qejf me lënë gjurmë për të mirë,” u shpreh ai.
Një opsion që ai po e konsideron është kandidimi si deputet i pavarur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2026, pa u bërë pjesë e asnjë partie.
“Në atë rast, do të flas për problemet e akumuluara në shoqëri. Ashtu si di unë. E keni parë: jam ndryshe,” shkroi Koci.
Ai theksoi se puna e tij në Kuvend, nëse zgjedhet deputet, do të ishte shumë aktive dhe e drejtpërdrejtë:
“Asnjë problem nuk kam me e lanë pa e trajtu në foltore. Politikanët nuk i kam me i lanë rahat.”
Megjithatë, kandidimi i pavarur kërkon siglura dhe përkrahje nga qytetarët:
“Ligji kërkon 5 mijë nënshkrime. Prandaj, bëhuni gati, eventualisht,” tha ai, duke theksuar se vendimi nuk është marrë ende.
Koci shtoi se kontributi ndaj shoqërisë nuk varet vetëm nga politika, duke kujtuar angazhimin e tij humanitar dhe aktivist.
“Nëse nuk hyj në politikë, jam mirë edhe kështu. Kontributi për shoqërinë nuk nis dhe nuk mbaron me politikë,” shkroi ai.
Avokati tregoi se dita e tij nisi në orën 04:30 për përgatitje të rasteve gjyqësore, ndërsa njoftoi se ishte rrugës për në Pejë për një gjykim së bashku me kolegen e tij.
“Anita po vozit, e unë po shkruaj,” përfundoi ai me humor.










