Qeveria ne detyrë e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri.
Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Koha ka mësuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës.
Franca ka shprehur dyshime nëse kanë qenë të sinqertë hapat që janë ndërmarrë nga palët për depërshkallëzimin në veri gjatë vitit 2025. E Italia, sipas diplomatëve ka shprehur qëndrimin se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.
Së paku 13 shtete të BE-së kanë kërkuar që ato të hiqen. Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia.
Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.
Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës.










