Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, njëherësh edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, s’i ka përfillur fort ligjet gjermane. Ai ka shkuar që të zhvillojë fushatë përpara mërgatës në Gjermani, përkundër që rregullat s’e lejojnë një gjë të tillë.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka lëshuar dje një njoftim, ku ka paralajmëruar politikanët se aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj nuk lejohen tre muaj para se të mbahen zgjedhjet.
“Meqenëse kemi diasporë të madhe nga Kosova në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Megjithatë, ky rregull nuk po i çon fort peshë Lëvizjes Vetëvendosje. Qendra e LVV’së në Gjermani ka njoftuar se përgjatë ditës së djeshme, Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu kanë mbajtur tubim politik në Püttlingen, pjesën perëndimore të Gjermanisë.
“Nga vizita në Püttlingen e kandidatëve për deputet të Lëvizjes: Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu“, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Më 2017-ën, Ministria e Jashtme Federale iu kishte dërguar ambasadave të akredituara në Gjermani notën qarkore për kufizime të këtilla.
“Paraqitjet e politikanëve të huaj në ngjarje në Gjermani që synojnë elektoratin e vendit të huaj kërkojnë miratimin e Qeverisë Gjermane. Një miratim i tillë duhet të kërkohet me anë të një Note Verbale drejtuar Ministrisë së Jashtme Federale të paktën dhjetë ditë para ngjarjes. Miratimi do të jepet në dritën e marrëdhënieve me jashtë; kështu, ai nuk zëvendëson lejet e nevojshme sipas ligjit të rendit publik.
Paraqitjet duhet të jenë në përputhje me parimet e Ligjit Themelor dhe sistemit ligjor gjerman, veçanërisht në lidhje me të drejtën e tubimit. Ato nuk mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe rendin publik. Si rregull i përgjithshëm, miratimi nuk jepet nëse fjalimi do të mbahet në një periudhë më pak se tre muaj para datës së zgjedhjeve ose referendumit; ky rregull nuk zbatohet për Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian“, thuhet në vendimin e ministrisë së Jashtme Federale gjermane.
Qeveria gjermane kishte ndaluar dhe refuzuar kërkesat për paraqitje politike nga zyrtarët e qeverisë turke në Gjermani në periudhat që i afroheshin zgjedhjeve dhe referendumeve atje.
Ky zbatim u kritikua nga zyrtarët turq, por Gjermania qëndroi pranë rregulloreve të saj si pjesë e së drejtës së saj sovrane për të menaxhuar aktivitetin politik në territorin e saj.










