Dr. Ferid Agani: Spitalet duhet të udhëhiqen nga profesionistët, jo nga politika

Menaxhimi profesional është kusht themelor për funksionimin e çdo sistemi shëndetësor modern. Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë dhe psikiatrit, Dr. Ferid Agani, asnjë spital nuk e përmirëson cilësinë e shërbimeve vetëm me rritje buxheti, nëse mungon modeli i duhur i udhëheqjes dhe përgjegjësisë institucionale.

Dr. Agani vlerëson se problemi kryesor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) sot nuk lidhet me mungesën e stafit apo pajisjeve, por me mungesën e një modeli modern dhe profesional të menaxhimit. Sipas tij, realiteti aktual karakterizohet nga emërime politike në pozita drejtuese, mungesë kriteresh profesionale dhe konkurruese, paqartësi të përgjegjësive dhe mungesë llogaridhënieje për rezultate konkrete.

“Në këto kushte, edhe profesionistët më të mirë mbeten të kufizuar dhe sistemi nuk arrin të prodhojë përmirësime reale për pacientin”, thekson Agani.

Qëndrimi i tij është i qartë: spitalet nuk duhet të menaxhohen si zyra administrative, por duhet të udhëhiqen nga menaxherë profesionistë me mandate të qarta dhe përgjegjësi të matshme. Sipas tij, ndarja e politikës nga menaxhimi ditor është parakusht për funksionimin normal të institucioneve shëndetësore.

Në këtë drejtim, Dr. Agani propozon një sërë masash konkrete, përfshirë përzgjedhjen e drejtuesve përmes konkurseve të hapura dhe transparente, vendosjen e kritereve të qarta profesionale dhe menaxheriale, kontrata performance me objektiva të matshme, vlerësim të rregullt të punës dhe llogaridhënie publike.

Ai thekson se profesionalizimi i menaxhimit nuk e dobëson shtetin, por e forcon sistemin shëndetësor në tërësi. “Kur spitalet udhëhiqen nga menaxherë profesionistë, përfiton pacienti, përfiton stafi shëndetësor dhe përfiton gjithë shoqëria”, përfundon Agani.

Dr. Ferid Agani është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me numrin 9 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e bazuar angazhimin e tij politik në përvojën profesionale dhe në nevojën për reforma strukturore e të qëndrueshme në sektorin e shëndetësisë.