Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të plotë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Sipas LDK-së, vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk reflekton zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, derisa po shkakton pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës. LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend. Masat e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit. Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e LDK-së lidhur me letrën e dërguar.
Tutje, LDK thekson se këto masa nuk kanë ndikuar tek politikanët, por kanë dëmtuar drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, duke bërë që një numër i konsiderueshëm projektesh të mbeten të bllokuara.
Ndërkohë, ditë më parë edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në emër të partisë që udhëheq, i ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes së cilës ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.










