PDK në Gjakovë organizon takim të madh për prezantimin e kandidatëve dhe programit

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjakovë do të mbajë nesër një takim të madh politik, ku do të bëhet prezantimi zyrtar i kandidatëve për deputetë nga kjo komunë, si dhe prezantimi i programit dhe vizionit të PDK-së për të ardhmen e Kosovës.

Takimi do të mbahet më 16 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 17:00, në ambientet e Hotel President në Gjakovë.

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë dhe kandidat për deputet, Hajdar Beqa, ka ftuar qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit e partisë që të marrin pjesë në këtë ngjarje, duke theksuar rëndësinë e mobilizimit qytetar dhe të një fushate të përgjegjshme politike.

Sipas Beqës, takimi synon të shërbejë si pikënisje e një fushate me ide të qarta dhe me vendosmëri për zhvillim ekonomik, stabilitet institucional dhe rritje të mirëqenies për qytetarët e Kosovës.

“Bashkohuni me ne për të nisur së bashku një fushatë të përgjegjshme, me vizion të qartë për të ardhmen e vendit”, thuhet në ftesën publike të Degës së PDK-së në Gjakovë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve konsiderohet nder dhe mbështetje e rëndësishme për kandidatët lokalë dhe për programin e Partisë Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve të ardhshme.