Tre persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” vetëm gjatë katër ditëve të fundit, saktësisht që nga e premta deri më sot.
Të premtën, më 12 dhjetor, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në këtë autostradë, saktësisht në kilometrin 26 ku janë përfshirë një veturë dhe një kamion.
Nga ky aksident, kanë humbur jetën dy femra shtetase të Shqipërisë. dhe lëndime trupore ka pësuar shoferi i kamionit.
“Autostrada Ibrahim Rugova, 12.12.2025 – 07:40. Si pasojë e një aksident trafiku që ka ndodhur midis një veture dhe një kamioni, dy femra shtetase të Shqipërisë që kanë qenë në veturë, kanë humbur jetën. Po ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe drejtuesi i kamioni mashkull kosovar i cili është dërguar për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhej në raportin e Policisë.
Dy viktimat e këtij aksidenti janë Elizabet Katija, 43 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vendngjarje, ndërsa më pas ka ndërruar jetë në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit edhe Eorda Sinollari, 32 vjeçare. Munish Grajçefci ishte shoferi i kamionit i cili pësoi lëndime trupore.
Me fatalitet përfundoi edhe një vetaksident në ditën e sotme, pikërisht në autostradën “Ibrahim rugova”, në afërsi të Mazgitit. Një kamion u rrokullis, dhe për pasojë shoferi i kamionit ka ndërruar jetë.
“Sot, rreth orës 13:00, në segmentin e autostradës Mazgit-Prishtinë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident është përfshirë një mjet i rëndë-kamion, i cili është rrokullisur. Si pasojë e këtij vetaksidenti drejtuesi i kamionit ka humbur jetën, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe ekipi mjekësor dhe njësia e zjarrëfikësve. Policia e Kosovës, vazhdon të apelojë për respektim të rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Edhe një person, zyrtar policor ka mbetur i vdekur sot në komunikacion.
Ai dyshohet të ketë vdekur nga sulmi kardiak para aksidentit.
“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit. Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit”, ka thënë Enis Pllana, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Gjatë ditëve të fundjavës, ka pasur edhe aksidente të tjera trafiku që kanë përfunduar me persona të lënduar.
Të shtunën, një ditë pas aksidentit me fatalitet që tronditi vendin, ka ndodhur një aksident tjetër në të njëjtin vend.
Në këtë aksident, janë përfshirë dy automjete dhe dy persona kanë pëësuar lëndime
“Policia në ora 07:47 është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, kilometri i 27 drejtimi Suharekë-Duhël. Sipas njësisë policore në aksident janë përfshirë dy automjete dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është duke u marrë me procedurat në vend- ngjarje”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Një vetaksident trafiku ka ndodhur dje në Komoran, ku ka mbetur e lënduar një femër.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i cili ka thënë se në këtë vetaksident është përfshirë një automjet, dhe për pasojë një femër ka pësuar lëndime.
Hoxha ka thënë se vetura ka dal jashtë rruge dhe është rrokullisur.
“Apelojme tek te gjithe drejtuesit e automjeteve qe te kene kujdes te shtuar gjate drejtimit te automjeteve dhe te respektojne rregullat e trafiku, posaqerisht gjate kohes kur kemi kufizim te dukshmerise gjate oreve te hershme naten dhe ne kohe me mjegull”, ka thënë Hoxha.
Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur gjithsej 41 aksidente trafiku, 16 prej tyre me të lënduar dhe 25 me dëme materiale.
Moti i papërshtatshëm për të vozitur, pra në shume qytete të Kosovës kishte mjegull të madhe duke e zvogëluar dukshmërinë në vozitje, ka ndikuar në rritjen e numrit të aksidenteve dhe sidomos tek ato me fatalitet.
Policia e Kosovës, dje ka bërë apel për kujdes gjatë këtyre ditëve me mjegull.










