Dr. Ferid Agani: SHSKUK nuk mund të funksionojë më si strukturë burokratike, kërkohet transformim i thellë institucional

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), si shtylla kryesore e sistemit shëndetësor publik, po përballet me probleme strukturore serioze që po e pengojnë funksionimin efikas dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Kështu vlerëson ish-ministri i Shëndetësisë dhe psikiatri, Dr. Ferid Agani, duke theksuar se problemi nuk qëndron te stafi shëndetësor, por te modeli aktual organizativ.

Sipas Dr. Aganit, SHSKUK sot funksionon si organizatë buxhetore me strukturë tepër administrative dhe të centralizuar, e cila nuk i përgjigjet nevojave reale të pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Ai thekson se autonomia menaxheriale e klinikave dhe spitaleve përbërëse është e kufizuar, vendimmarrja shpesh ndikohet politikisht dhe lidhja mes financimit, performancës dhe cilësisë së shërbimit është pothuajse inekzistente.

“Kjo strukturë prodhon pasoja të drejtpërdrejta në terren: klinikat dhe spitalet funksionojnë me vështirësi, stafi mbingarkohet dhe demotivohet, ndërsa pacienti humbet besimin në sistemin publik shëndetësor”, thekson Agani.

Qëndrimi i tij është i prerë: SHSKUK nuk mund të vazhdojë të funksionojë si strukturë burokratike. Ai propozon transformimin e tij në një ndërmarrje publike moderne të nivelit qendror, me autonomi reale organizative, financiare dhe menaxheriale, si dhe me përgjegjësi të matshme. Ky transformim, sipas tij, duhet të bazohet në një studim ndërkombëtar të fizibilitetit dhe të rregullohet me ligj të veçantë.

Sipas Dr. Aganit, një SHSKUK i reformuar do të përfshinte një bord profesional dhe të pavarur, shërbime profesionale të linjës si formë unike e integrimit të shërbimeve spitalore dytësore dhe klinike tretësore, menaxhim autonom të çliruar nga ndikimi politik, kontraktim të qartë me shtetin dhe fondet e sigurimeve shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, si dhe financim të lidhur drejtpërdrejt me shërbimin dhe cilësinë.

Ai thekson se transparenca dhe llogaridhënia publike janë elemente kyçe të këtij modeli dhe se transformimi i propozuar nuk ka të bëjë me privatizim, por me modernizim institucional.

“Një SHSKUK i reformuar nënkupton shërbim më cilësor për qytetarin dhe dinjitet profesional për stafin shëndetësor. Pa këtë ndryshim strukturor, sistemi do të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi dhe humbje besimi”, përfundon Agani.

Dr. Ferid Agani është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me numrin 9 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e bazuar angazhimin e tij politik në përvojën profesionale dhe në nevojën për reforma të thella e të qëndrueshme në sektorin e shëndetësisë.