Shteti në heshtje, Esat Shala i vetëm nis ndërtimin e muzeut për dëshmitë e luftës

Derisa institucionet shtetërore vazhdojnë të heshtin, koleksionuesi i mijëra dëshmive të luftës, Esat Shala, ka nisur me iniciativë personale ndërtimin e një muzeu dhe arkive për dokumentimin e krimeve serbe gjatë luftës.

Pa asnjë mbështetje institucionale, Shala ka bërë të ditur se punimet i ka filluar të hënën, me mjete modeste dhe në kushte minimale, por me një vendosmëri të fortë për të mos lejuar që dëshmitë e luftës të harrohen apo të mbesin pa adresë institucionale.

Sipas tij, ky projekt ka vlerë kombëtare dhe nuk është pronë personale, por përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe shtetërore. Megjithatë, mungesa e përkrahjes nga shteti e ka detyruar atë që barrën ta marrë mbi supe i vetëm.

Shala u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kontribuuesve që e njohin vlerën e sakrificës për liri të ndihmojnë këtë nismë, duke theksuar se, pavarësisht neglizhencës institucionale, ai nuk do të dorëzohet derisa muzeu dhe arkivi të përfundojnë.