Trajneri i Liverpoolit kritikon ashpër mbrojtësin e Tottenhamit pas dëmtimit të Isak

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka reaguar me tone të forta ndaj ndërhyrjes së mbrojtësit të Tottenhamit, Micky van de Ven, ndaj sulmuesit Alexander Isak, duke e cilësuar atë si “të pamatur” dhe jashtëzakonisht të rrezikshme.

Isak pritet të mungojë për disa muaj pasi iu nënshtrua një operacioni në kyçin e këmbës, dëmtim që përfshin edhe frakturë të fibulës.

Incidenti ndodhi në momentin e shënimit të golit të parë në fitoren 2-1 të Liverpoolit ndaj Tottenhamit në Premier League, të shtunën në mbrëmje.

Ndeshja u karakterizua me tensione të larta, me Tottenhamin që mbeti me dy lojtarë më pak pas kartonëve të kuq të Xavi Simons dhe Cristian Romero. Ndërkohë, Van de Ven shpëtoi pa u ndëshkuar nga arbitrat, pavarësisht pasojave të rënda të ndërhyrjes së tij.

“Kam folur shumë për ndërhyrjen e Xavi Simons, e cila për mua ishte plotësisht e paqëllimshme dhe nuk mendoj se nga ajo mund të vijë një dëmtim serioz,” tha Slot. “Por ndërhyrja e Van de Ven… nëse e bën një gjë të tillë 10 herë, në 10 raste ka rrezik të madh që lojtari të dëmtohet rëndë.”

Goli ndaj Tottenhamit ishte vetëm i dyti për Isak në Premier League që prej transferimit të tij rekord prej 125 milionë paundësh nga Newcastle United në fund të merkatos së verës. Suedezi ka kaluar një periudhë të vështirë, i penguar nga problemet fizike dhe mungesa e përgatitjes.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të,” shtoi Slot. “Ai erdhi në një klub të ri, plot entuziazëm, por pa një përgatitje të duhur. Kur nuk ke stërvitje serioze me ekipin për tre apo katër muaj dhe luan në këtë nivel, është pothuajse e pamundur të tregosh potencialin tënd.”

Dëmtimi i Isak përbën një goditje të rëndë për Liverpoolin, i cili tashmë do të duhet të bëjë plane afatgjata pa sulmuesin suedez.