Profesori universitar kritikon Listën GUXO dhe kryeministrin Albin Kurti për, siç thotë, përvetësimin e figurës së ish-presidentit Rugova.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të disa përfaqësuesve të Listës GUXO dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilët, sipas tij, po tentojnë ta identifikojnë ish-presidentin Ibrahim Rugova me subjektet e tyre politike.
Në një postim publik, Krasniqi e ka quajtur “pafytyrësi” pretendimin se Rugova u përket atyre që janë larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ai ka theksuar se figura dhe trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës janë të lidhura ekskluzivisht me LDK-në.
“Rugova identifikohet vetëm me LDK, jo me ne që kemi dalë nga LDK-ja,” ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se edhe pse ai vetë ka qenë pjesë e kësaj partie, Rugova nuk identifikohet as me të personalisht.
Sipas tij, nëse do të kishte ndonjë identifikim të Rugovës me individë që janë larguar nga LDK-ja, ai do të ishte më së shumti me vetë Krasniqin, por kjo, siç thekson ai, nuk ka ndodhur kurrë.
Në përfundim, Krasniqi ka deklaruar se Ibrahim Rugova “mbetet 100% aksion i LDK-së”, duke nënvizuar se përpjekjet për ta përvetësuar politikisht figurën e tij janë të pabazuara dhe të motivuara politikisht.










