Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se synon të marrë në të ardhmen pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka vlerësuar punën e bërë deri tani nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se e ka transformuar partinë.
“Unë jam kryetar i kryeqytetit dhe e kam për zemër punën time, i falënderoj të gjithë qytetarët që ma kanë besuar edhe një mandat, dhe normalisht jam këtu për me i shty këto procese përpara. Unë e kam thënë përpara dhe e them prapë, nuk jam anëtar i LDK-së, pra unë nuk jam në garë. Besoj që Lumiri ka bërë një punë të mrekullueshme tash e katër vite po bëhen në transformim të partisë, uroj që t’i shty proceset përpara, për këtë arsye i kam ndihmu edhe në shkurt, edhe tash, normal që do t’i ndihmoj edhe në të ardhmen. Kushdo që mendon mirë, në mënyrë proaktive për zhvillimin e vendit që është i hapun ndaj profesionistëve të tjerë të rinj të cilët nuk do me thanë me qenë brenda partisë, por të cilët ja mendojnë të mirën vendit, atëherë këto parti duhet të shtyhen përpara, e jo një mendësi e mbrapsht, e ngusht, ose nënshtrohesh ose je armik”, ka thënë Rama.
“Nuk do me thënë me qenë unë në krye të LDK-së me u ballafaqu me dikën, unë si kreytar i kryeqytetit ballafaqohem me kushdo që bllokon procese në kryeqytet, dhe bashkëpunoj edhe me këndo, edhe me Vetëvendosjen, edhe Kurtin, edhe të gjithë të cilët në të ardhmen e ndrrojnë mendësinë, janë bashkëpunues, nuk kam asnjë problem me punu me ta, por nëse janë bllokues nga pozita ime si kryetar i kryeqytetit, normal që do të ballafaqohem me ta me i zhblloku proceset për të mirën e kryeqytetit, dhe kjo është ajo që sot e kam përgjegjësi të madhe që ma ka dhënë qytetari i kryeqytetit dhe si e tillë do t’i qëndrojë besë qytetarit të kryeqytetit”.
I pyetur se a e përjashton mundësinë që të garoj për kryeministër në të ardhmen përballë Albin Kurtit, ai ka thënë se nuk është vetëm ai që mund t’i dalë përballë kreut të VV-së, por ka edhe shumë njerëz të tjerë si brenda LDK-së ashtu edhe jashtë saj.
“Unë mendoj se ka shumë njerëz brenda LDK-së edhe njerëz në parti të tjera të cilët munden shumë lehtë e mirë me u ballafaqu ideologjisë 120 vjet të Kurtit, dhe nuk mendoj që Kosova e ka vetëm një person që ballafaqohet me Kurtin”, ka thënë Rama.










