Një ditë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka dalë para mediave për të dhënë qëndrimin e partisë lidhur me rezultatin zgjedhor. Ai tha se PDK-ja kishte pritur rezultat më të lartë, megjithatë subjekti ka arritur ta ruajë votën dhe elektoratin e vet.
“PDK-ja ka pritur rezultate më të mira. Edhe unë personalisht kam pritur rezultat më të mirë. Por PDK-ja e ka ruajtur votën dhe elektoratin e vet”, tha Hamza.
Hamza theksoi se pozita sjell përgjegjësi, duke shtuar se nuk është prej atyre që shmangin përgjegjësinë.
“Pozita i ka përgjegjësitë e veta. Unë nuk jam prej atyre që fshihem nga përgjegjësia”, u shpreh ai.
Ai njoftoi se në ditët në vijim PDK-ja do të mbajë takime me strukturat e partisë për analizën e rezultatit dhe marrjen e vendimeve.
“Do të kemi takime me strukturat e partisë sapo t’i analizojmë rezultatet. Nuk do të vonohemi në vendimmarrje”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së theksoi se vendi duhet të ketë institucione pa krijuar vakum politik, duke rikujtuar se Kosova ka kaluar mjaft bllokada institucionale në të kaluarën. Ai konfirmoi qartë se PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive, duke ofruar kontribut në proceset shtetërore.
“Ne do të jemi opozitë dhe do ta japim kontributin tonë. Marrëveshjet ndërkombëtare do t’i votojmë, sepse edhe në të kaluarën i kemi votuar”, deklaroi Hamza.
Sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit, Hamza tha se ai është proces i veçantë, pas konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Kur të vijë faza e zgjedhjes së presidentit, mendoj se ka vend të votohet dhe të mos bllokohet”, theksoi ai.
Me këtë dalje publike, PDK-ja zyrtarizon pozicionimin e vet në opozitë, me fokus në stabilitet institucional dhe mbështetjen e proceseve shtetërore kur ato janë në interes të vendit.









