Presidentja thotë se është informuar pothuajse i gjithë spektri politik dhe se sondazhet tregojnë mbështetje deri në 81 për qind të qytetarëve për një mandat të dytë.
Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në pranverën e vitit 2026 i përfundon mandati aktual, ndërsa ajo ka konfirmuar se synon të qëndrojë edhe për një mandat tjetër në krye të vendit. Osmani deklaroi se për ambicien e saj janë njoftuar të gjitha partitë politike në vend, me përjashtim të Listës Serbe.
“Nuk ka parti politike, përveç Listës Serbe, që në një mënyrë apo tjetër të mos ketë qenë e informuar se qëllimi im është t’i siguroj Republikës së Kosovës vazhdimësi të këtyre punëve të mira, nëse edhe ata pajtohen”, theksoi Osmani.
Ajo tha se një mandat i dytë do të mbështetej në dy parime thelbësore: mbrojtjen e interesit të vendit dhe reflektimin e vullnetit qytetar. Sipas saj, sondazhet e organizatave joqeveritare tregojnë se dy të tretat e qytetarëve, e në disa raste deri në 81 për qind, e mbështesin rizgjedhjen e saj si presidente.
Megjithatë, Osmani paralajmëroi se nëse subjektet politike nuk sigurojnë kuorumin dhe votat e nevojshme për rizgjedhjen e saj në Kuvend, ajo është e gatshme të përballet me to në zgjedhje.
“Në fund të fundit është vullneti i deputetëve nëse do të më përkrahin apo jo. Nëse po, do të vazhdojmë punët e mira dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Nëse jo, unë do ta vazhdoj angazhimin politik dhe, kurdo që të ketë zgjedhje, do t’i përballim idetë dhe qëndrimet”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se, pavarësisht vendimit të partive politike, synimi i saj mbetet angazhimi i vazhdueshëm politik për ta ndihmuar Kosovën që të ecë përpara.










