Ramush Haradinaj: Kumanova qëndron krah nesh, veteranët e luftës janë themeli i lirisë sonë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me veteranët e Luftës së Kumanovës, duke vlerësuar rolin e tyre historik dhe sakrificat që, sipas tij, mbeten gurë themeli të lirisë shqiptare në rajon.

Haradinaj tha se ka qenë “nder” për të të qëndrojë pranë pjesëmarrësve të asaj beteje, duke theksuar se guximi i tyre ishte vazhdimësi e rrugës drejt lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Ai shtoi se çdo rrëfim i veteranëve bart peshë historike dhe është dëshmi e një periudhe vendimtare për shqiptarët.

Në takim ka marrë pjesë edhe Dardan Krasniqi, kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj veteranëve, duke dëgjuar nga afër përvojat dhe vështirësitë e tyre në kohë lufte.

Haradinaj theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë “krah veteranëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,” duke nënvizuar se kontributi i tyre nuk duhet harruar asnjëherë.

Ky takim vjen në kuadër të angazhimeve të AAK-së për zgjedhjet e reja parlamentare.