
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan ka mbajtur një takim të gjerë me strukturat lokale, duke shënuar nisjen e mobilizimit për fushatën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Takimi ka mbledhur një numër të madh aktivistësh, asamblistësh, drejtuesish lokalë dhe qytetarësh, duke sinjalizuar rikthimin e PDK-së si forcë serioze konkuruese në komunën e Gjilanit.
Në takim u diskutua organizimi i fushatës, mesazhet politike dhe mbështetja për kandidatin për kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza. Pjesëmarrja e madhe dhe atmosfera mobilizuese u interpretuan nga drejtuesit lokalë si dëshmi se PDK po rimerr pozicionin e saj në Gjilan pas një periudhe stagnimi.
Strukturat e degës së PDK-së në Gjilan theksuan se qyteti ka nevojë për një ofertë të fuqishme politike dhe për një qeverisje që garanton stabilitet, zhvillim ekonomik dhe kornizë të qartë euro-atlantike. Sipas tyre, PDK po hyn në garën zgjedhore me energji të re dhe me mbështetje në rritje.
Takimi u mbyll me mesazhin se fushata do të zhvillohet me organizim të plotë dhe me synimin që Gjilani të rikthehet në njërën nga bastionet kryesore të PDK-së.










