Dhomat e Specializuara në Hagë njoftuan sot, më 10 dhjetor 2025, se Isni Kilaj është liruar me kusht nga paraburgimi, pas vendimit të marrë nga Gjykatësi i Vetëm në “Çështjen 12”, në të cilën janë të akuzuar edhe Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Në vendimin e datës 3 dhjetor 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të fundit të paraburgimit në tetor të po këtij viti. “Mbajtja e tij në paraburgim nuk është më as e arsyeshme, as proporcionale,” thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, megjithëse ekziston një rrezik i caktuar që Kilaj, nëse lirohet, mund të ndikojë në ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera, ky rrezik është më i ulët krahasuar me të drejtën e tij themelore për liri. “Në rrethanat konkrete, e drejta themelore e z. Kilaj për liri peshon më shumë se këto rreziqe,” theksoi Gjykatësi.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykatësi ka marrë parasysh disa faktorë, përfshirë:
Koha në paraburgim, e cila tashmë tejkalon dënimin minimal të mundshëm sipas akuzave.
Mungesën e provave që Kilaj ka tentuar të pengojë procesin gjatë lirimit të tij me kusht në vitin 2024.
Përfundimin e paraqitjes së provave në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Rrezikun shumë të ulët të ndikimit mbi dëshmitarët e Prokurorisë në “Çështjen 12”.
Mungesën e rrezikut të arratisjes, bazuar në sjelljen e mëparshme dhe shumën e konsiderueshme të dorëzanisë financiare.
Megjithatë, Kilaj mbetet i akuzuar dhe lirimi i tij është i shoqëruar me kushte strikte, të cilat synojnë të minimizojnë çdo rrezik të ndërhyrjes së tij në dëshmitarë apo procese të tjera gjyqësore.
Gjykata paralajmëron qartë:
“Nëse z. Kilaj shkel cilindo prej kushteve të lirimit, do të lëshohet fletarrest për arrestimin e tij të menjëhershëm.”










