Ky është 51-vjeçari që u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prizren

Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e djeshme në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

Gazeta ka mësuar se viktima është Agron Kabashi, rreth 51-vjeçar, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij në rrugën “Wiliam Wolker”, te banesat e Kabashit.

Sipas informatave, rreth orës 20:30 familjarët kanë humbur kontaktin me të, pasi ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe nuk ka hapur derën e banesës. Të shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore, ata kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ndërsa me ndërhyrjen e njësisë së zjarrfikësve dera e banesës është hapur me forcë. Brenda është gjetur 51-vjeçari pa shenja jete, ndërsa ekipi i urgjencës ka konstatuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe autoritetet përkatëse, ndërsa trupi i pajetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet për sqarimin e rrethanave të këtij rasti janë në zhvillim.