PDK prezanton kandidatët dhe programin në Gjakovë, Beqa fton qytetarët në takim të madh

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjakovë do të mbajë nesër një takim të madh politik, ku do të bëhet prezantimi zyrtar i kandidatëve për deputetë nga kjo komunë, si dhe programi dhe vizioni i PDK-së për të ardhmen e Kosovës.

Takimi do të mbahet më 16 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 17:00, në ambientet e Hotel President në Gjakovë.

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë dhe kandidat për deputet, Hajdar Beqa, ka ftuar qytetarët dhe mbështetësit e partisë që t’i bashkohen këtij aktiviteti, duke theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar në nisjen e një fushate të përgjegjshme dhe me ide të qarta për zhvillimin e vendit.

Sipas Beqës, takimi synon të prezantojë jo vetëm kandidatët e PDK-së nga Gjakova, por edhe prioritetet programore të partisë për zhvillim ekonomik, stabilitet institucional dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve.

“Bashkohuni me ne për të nisur së bashku një fushatë të përgjegjshme, me vendosmëri për zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës”, thuhet në ftesën publike të Degës së PDK-së në Gjakovë.

Organizatorët kanë theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve në këtë takim përbën mbështetje të rëndësishme për kandidaturat lokale dhe për orientimin politik të partisë në prag të zhvillimeve të ardhshme zgjedhore.

Takimi pritet të mbledhë struktura partiake, simpatizantë dhe qytetarë të interesuar për programin dhe ofertën politike të PDK-së në Gjakovë dhe më gjerë.