Daut Haradinaj: Klina shembull i fitores me ndershmëri dhe përkushtim

Daut Haradinaj nga AAK, ka zhvilluar mbrëmë një takim me strukturat e Aleancës në Klinë, të cilin e cilësoi si të ngrohtë, frymëzues dhe mobilizues.

Në këtë takim morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, prof. Zenun Elezaj, drejtorë komunalë, asambleistë, si dhe kandidatë për deputetë nga kjo komunë. Haradinaj theksoi se Klina ndër vite ka dëshmuar se fitorja e vërtetë arrihet përmes ndershmërisë, përkushtimit dhe punës së madhe.

Sipas tij, kjo komunë është shembull i qartë se kur udhëheqja bazohet në integritet, besimi i qytetarëve shndërrohet në forcë reale për ndryshim. Ai vlerësoi angazhimin e strukturave lokale dhe njerëzve të përkushtuar ndaj punës dhe fjalës së dhënë.

Haradinaj u shpreh se Aleanca, në krah të këtyre njerëzve, është më e bindur se kurrë se bashkë do të përbëjnë një krah të fuqishëm për Kosovën, duke shprehur optimizëm për angazhimet dhe sfidat që i presin përpara.