Halimi komenton intervistën e Konjufcës: Shenjë paniku që historia e tyre po mbyllet me turp

Sibel Halimi, kandidate për deputete nga radhët e LDK-së, ka komentuar intervistën e mbrëmshme të Glauk Konjufcës, nënkryetar i VV-së.

Halimi ka vlerësuar se Konjufca fliste sikur nga një univers paralel.

“Glauk Konjufca, në intervistën e djeshme, dukej sikur fliste nga një realitet paralel, jo ai që e ka ndërtuar vetë, bashkë me partinë e tij.

Një përpjekje e vonuar për të arsyetuar pasojat e një qeverisjeje që ka prodhuar më shumë dëme sesa reflektim. Edhe më i vonuar është korrigjimi i një diskursi që ka ushqyer polarizim, urrejtje e armiqësi.

Distancimi nga vetvetja dhe nga subjekti politik që e përfaqëson, nuk është akt guximi, por shenjë paniku që historia e tyre po mbyllet me turp!

Sepse në politikë, si në histori, shfajësimi nuk e zhbën rrugën e ndërtuar, dhe as përgjegjësinë për realitetin që ka marrë formë.

Prandaj, të mos pretendohet se në politikë mendimi i tij qëndron i ndarë nga pushteti që ka ushtruar.

Është vetëm një qëndrim i radhës, i krijuar në laboratorin e VV-së për të manipuluar” – ka shkruar ajo