Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur në emisionin e Kanal 10 për çështjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës. Ai e trajtoi këtë temë në kontekstin e deklaratave dhe angazhimeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti, të cilat, sipas Limajt, përbëjnë ndërhyrje edhe në punët e brendshme të shqiptarëve jashtë Kosovës.
Duke folur për këtë çështje, Limaj theksoi se dëshira e tij më e madhe është që shqiptarët, kudo që jetojnë, të jenë të bashkuar. Ai rikujtoi se ndër mbështetësit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë shqiptarët e Malësisë, ata nga Maqedonia e Veriut dhe nga Lugina e Preshevës, duke vlerësuar rolin dhe sakrificën e tyre në kohët më të vështira.
Limaj theksoi se shumë familje shqiptare, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Shqipëri, kanë dhënë kontribut dhe kanë paguar çmim të lartë gjatë luftës. Ai foli edhe për plagët që mban vetë, si në trup ashtu edhe në shpirt, duke thënë se sa herë që i kujton ato, përjeton emocione të forta.
“Nuk dua të takohem me njerëz që nuk kanë emocione,” u shpreh Limaj, duke theksuar rëndësinë e ndjeshmërisë njerëzore dhe kujtesës kolektive për sakrificën e bërë.










