Deda: SHBA kërkon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë në ligjin e ri për Ballkanin Perëndimor

Ilir Deda thotë se paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës dhe rajonit janë interes strategjik amerikan.

Mbrëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fuqi Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili përfshin edhe politikën zyrtare amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Kështu ka bërë të ditur Ilir Deda, duke theksuar se ky ligj e përcakton qartë rajonin si interes strategjik të SHBA-së.

Sipas ligjit, paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës dhe e gjithë Ballkanit Perëndimor konsiderohen interes jetik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumenti përcakton një sërë autorizimesh dhe qëllimesh konkrete politike për rajonin.

Një nga pikat kryesore është kërkesa për zbatim të plotë të marrëveshjes së normalizimit të vitit 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke konfirmuar se qëllimi final i procesit është njohja reciproke mes dy shteteve.

Ligji gjithashtu autorizon Presidentin e SHBA-së të vendosë sanksione ndaj çdo udhëheqësi apo zyrtari të lartë në Ballkanin Perëndimor që përfshihet në korrupsion, cenon integritetin territorial të shteteve të rajonit, shkel rendin demokratik apo kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Po ashtu, ai mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike, ndërsa refuzon në mënyrë të prerë çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.

Ligji amerikan mbështet gjithashtu integrimin ekonomik rajonal dhe forcon mbështetjen për demokracitë e Ballkanit Perëndimor, si dhe për procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Sipas Dedës, në këtë periudhë ndryshimesh të mëdha globale, SHBA dhe BE pritet të kenë një politikë të përbashkët ndaj rajonit.

“Tani mbetet të shihet se si do të zbatohet ky ligj në praktikë”, ka përfunduar Deda.