Kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj situatës së rënduar me furnizimin me energji elektrike në Rahovec dhe në rajone të tjera të Kosovës, duke e cilësuar menaxhimin e sektorit energjetik si të papranueshëm.
Hoti ka theksuar se ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike, sidomos në ditët e dimrit, po çrregullojnë jetën familjare dhe po detyrojnë bizneset të ndërpresin punën ose të operojnë me kosto të larta. Sipas tij, pasiguria në furnizim po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës.
Ai ka kritikuar ashpër qeverisjen e fundit, duke theksuar se për pesë vite nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik, ndërsa projektet e nisura nga qeveritë paraprake janë ndërprerë. Hoti ka përmendur moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit për centralin me gaz, anulimin e projektit “Kosova e Re” me kosto prej 20 milionë eurosh penalti, si dhe rritjen e shumëfishtë të tarifave të energjisë.
E plotë
Dje, situata me energjinë elektrike në shumë fshatra të Rahovecit dhe në qytet ka qenë e rënduar. Me orë të tëra nuk ka pasur furnizim. Situatë e njëjtë, me gjasë, është edhe në rajone të tjera.
E kemi ngritur në vazhdimësi këtë problem, por situata nuk po përmirësohet. Papërgjegjësi totale. Menaxhimi i situatës nga ana e KEDS-it është i papranueshëm.
Në këto ditë dimri, pasiguria e furnizimit me energji elektrike çrregullon çdo planifikim familjar për festat e fundit të vitit. Bizneset detyrohen të ndërpresin punën apo të punojnë me kosto të rritura.
Fatkeqësisht, gjithë këto vite sektori i energjisë është menaxhuar tmerrësisht keq. Pesë vite pa asnjë kapacitet të ri energjetik. Projektet e iniciuara në qeveritë paraprake janë ndërprerë, duke krijuar terren për import enorm të energjisë elektrike.
1. Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar dhe, rrjedhimisht, centrali me gaz nuk u ndërtua.
2. Kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u anulua dhe shteti është detyruar të paguajë 20 milionë euro penalti.
3. Çmimi i energjisë elektrike u rrit disa herë, duke rënduar koston e jetës së qytetarëve.
4. Nxjerrja e bizneseve në tregun e hapur energjetik pa krijuar kushtet e nevojshme ka bërë që rreth 1000 kompani të furnizohen me energji rreth tri herë më shtrenjtë se sa kanë paguar më parë. Kjo ka rezultuar me rritje të kostove të prodhimit për bizneset, të cilat këto kosto janë bartur në çmimet e produkteve, duke rritur kështu koston e shportës për qytetarët.
E gjithë kjo situatë ka bërë që importi i energjisë në këtë vit të jetë afër 1 miliard euro, të cilat janë paguar nga qytetarët dhe bizneset përmes tarifave të rritura të energjisë.
Si mund të arsyetohet kjo situatë? Kush ka interes nga bllokimi i zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë? Pse janë ndërprerë projektet e qeverive paraprake? Pse janë rritur tarifat tri herë? Pse janë nxjerrë në treg të hapur bizneset pa përgatitjet e nevojshme? Pse tani ato u nxorën në treg të hapur?
Këto janë çështje që duhet të marrin përgjigje dhe do të marrin përgjigje.










