Komandanti i KFOR-it pret në takim presidentin sllovak, e njofton për “situatën e sigurisë” në Kosovë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori Özkan Ulutaş, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Sllovakisë, Peter Pellegrini, në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.

Presidenti sllovak shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Robert Kaliňák, ambasadori i Sllovakisë në Beograd, Michal Pavúk, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Sllovake, gjenerali Daniel Zmeko.

Gjatë takimit, gjeneralmajori Ulutaş i ka informuar mysafirët për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për angazhimet e vazhdueshme të KFOR-it. Ai ka theksuar përkushtimin e palëkundur të misionit për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë afatgjatë në gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu, Ulutaş ka vlerësuar lart kontributin e Sllovakisë në kuadër të KFOR-it dhe rolin e saj në forcimin e stabilitetit rajonal.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë,” thuhet në njoftim.