Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari e falënderoi gjeneral Kingjin për lidershipin e tij në udhëheqjen e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore që Forcat e Armatosura të Shqipërisë i kanë dhënë FSK-së ndër vite. Po ashtu, u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë, si dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, duke u vlerësuar si një kontribuues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e arritur nga FSK-ja në procesin e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave gjatë aktiviteteve shumëkombëshe, veçanërisht në aspektin e ndërveprueshmërisë. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, sidomos në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar, duke vlerësuar forcimin e kapaciteteve mbrojtëse si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.










