Pezullimin e të drejtës së votës së Mabco Construction – Behgjet Pacolli e quan “kthim në normalitet”, duartroket vendimin e Gjykatës

Një zhvillim i rëndësishëm juridik ka ndodhur në Shqipëri lidhur me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka marrë vendim për sigurim padie, duke pezulluar të drejtat e votës së shoqërisë Mabco Construction SA në shoqërinë “Vlora International Airport” shpk.

Ditën e djeshme, Pacolli shkroi në Facebook, duke deklaruar se në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po rikthehet normaliteti institucional, duke vlerësuar rolin e drejtësisë në garantimin e rendit ligjor dhe besimit publik.

Në një reagim publik, Pacolli thekson se akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë.

Sipas tij, ndonëse drejtësia shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.

Pacolli shprehet se është ndjenjë krenarie për çdo qytetar kur drejtësia në vend funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.

Ky reagim i Pacollit erdhi pas vendimit nga Gjykata e Tiranës.

Sipas dokumentit zyrtar të datës 23 dhjetor 2025, të cilin e ka siguruar Gazeta masa është marrë pas kërkesës së paraqitur nga paditëset “Vlora International Airport” shpk (VIA) dhe “2A Group” shpk, në kuadër të një kontesti civil që lidhet me përbërjen dhe funksionimin e ortakërisë.

Ky reagim i Pacollit erdhi pasi Gjykata e Tiranës pezulloi të drejtat e votës së Mabco Construction në Vlora International Airport.

Çfarë ka vendosur gjykata?

Gjykata ka vendosur:

        •           Pezullimin e të drejtës së votës së Mabco Construction SA (degë e shoqërisë së huaj) në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të “Vlora International Airport” shpk;

        •           Pezullimin e çdo të drejte që rrjedh nga zotërimi i kuotës së kësaj shoqërie në VIA, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar;

        •           Pranimin e kërkesës për sigurim padie, si masë e përkohshme mbrojtëse.

Vendimi është marrë nga Dhoma Civile e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe mbetet në fuqi deri në një vendim të formës së prerë. Palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Çfarë nënkupton ky vendim?

Ky vendim i Gjykatës nënkupton pezullimin e përkohshëm të të drejtës së votës dhe ndikimit vendimmarrës të shoqërisë Mabco Construction SA në strukturat e shoqërisë “Vlora International Airport” shpk, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.

Si rrjedhojë, qeverisja dhe vendimmarrja në kuadër të këtij projekti kalojnë aktualisht tek ortaku tjetër, shoqërinë 2A Group, e cila tashmë pritet të ndërmarrë veprime konkrete për riorganizimin e menaxhimit dhe ushtrimin e kompetencave statutore.

Sipas informacioneve që ka siguruar palët paditëse kanë paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha hapave ligjorë për të kontestuar dhe anuluar kontratat që i konsiderojnë të kundërligjshme, përfshirë marrëveshjen ndërmjet Mabco Construction SA dhe fondit Delfos Compartment Bernina, e cila pritet të jetë objekt i procedurave të veçanta gjyqësore.